Kronikë

Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

Naim Murseli

Foto: Alban Bujari

Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt. Në pyetjen për pranim të fajësisë ose jo, ai është përgjigjur se deklarohet "plotësisht i pafajshëm". 

Granit Plava është mbrojtur në heshtje, e Kushtrim Kokalla ka thënë se nuk do të deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij. Ndërsa, Tom Dodaj në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë.

Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve. Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë që ajo të mos shmangte plumbin. Sipas aktakuzës, Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.

Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.

VIDEO:


Dodaj dënohet me 5 vjet burgim për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj 

Të akuzuarit Tom Dodaj i është shqiptuar dënim me gjobë prej 5000 euro dhe burgim prej 5 vjete.

Dodaj është dënuar pasi ia ka shitur Naim Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro - arma me të cilën më pas u vra Liridona Ademaj nga Granit Plava. 

Avokati i tij ka thënë se do të ankohen për dënimin me burgim, pasi mendojnë se është i lartë. 


Nis me ankesa të avokatëve shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Ka nisur shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore në Prishtinë të premten.

Avokati mbrojtës Ndre Dodaj, i të akuzuar Kushtrim Kokalla, sërish është ankuar për vështirësi në qasje në shkresat e lëndës. Ai ka thënë se nuk iu janë hapur CD-të që i ka pranuar nga gjykata.

Gjykatësja Fatime Dërmaku ka ftuar stafin e gjykatës për ta vërtetuar nëse ka problem me shkresat, por ato kanë dalë të jenë në rregull. Ajo ka konstatuar se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet sa i përket materialeve.

Më pas, gjyqtarja ka vazhduar me leximin e të drejtave të të akuzuarve, e Kushtrim Kokalla ka thënë se nuk i kuptonte të drejtat. Avokati Dodaj ka kërkuar konsultim me klientin. Por, gjyqtarja i ka thënë që të mos e pengojë procedurën, ndërsa i ka shqiptuar vërejtje me shkrim duke e paralajmëruar se herën tjetër do ta dënojë me gjobë.

E, ekipi mbrojtës i Naim Murselit është ankuar për sjelljen e gjyqtares ndaj Dedajt. Gjykatësja i ka shqiptuar gjobë 500 euro mbrojtësit të Murselit, Shemsedin Piraj, për prishje të rendit dhe qetësisë.


Sot pritet të mbahet seanca fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot në orën 11:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës e Tom Dodajt, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej të hënën e kësaj jave, por trupi gjykues kishte vendosur ta shtyjë për 31 janar (sot), pasi avokatët e të akuzuarve kanë thënë se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Më 27 janar Gjykata Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj 4 të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktakuzës, Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.

Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes.