Kronikë

Sillet para gjykatës një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan

Millosh Antoviq

Millosh Antoviq është sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë të mërkurën për caktimin e masës së sigurisë si i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan gjatë trazirave të majit 2023.

Prokuroria ka paraqitur kërkesë për paraburgim.

Arrestimin e tij e njoftoi të martën ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

“Arrestohet edhe një nga terroristët që dhunshëm sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, disa prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme. Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

30 ditë paraburgim Millosh Antoviqit, i dyshuar për dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

2 d. më parë / 16 pri 2025 19:26 Nga: Ardit Kika
paraburgim

Foto: Ilustrim

I është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim Millosh Antoviqit, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në turmën e dhunshme që ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan.

Vendimin e ka marrë të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorisë.

Burime në gjykatë kanë bërë të ditur se në aktvendim masa është arsyetuar me faktin se i pandehuri do të mund të ikte në Serbi për t’iu shmangur procedurës penale si dhe se do të ndikonte te personat e tjerë që kanë të bëjnë me hetimin e Prokurorisë Speciale.

E, në kërkesën për paraburgim, organi i akuzës ka listuar veprimet e Antoviqit, në funksion për ta penguar vendosjen e rendit kushtetues të Kosovës në komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë.

“I pandehuri, duke vepruar në grup, kishte ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ku tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit dhe mjetet e rrezikshme, kanë humbur këmbët”, është thënë në kërkesën për paraburgim.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri Antoviq ka kryer një mori veprash penale: “Bashkim për Veprimtari Kundër Kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe

“Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

“Me këtë bashkëkryerje i ka kryer veprat penale: Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, nga neni 127 par. 2 lidhur me nenin 114 par. 2 dhe nenin 31 të KPRK-së; ,Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, nga neni 167 par. 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; ,Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, nga neni 404 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Sulmi ndaj personit zyrtar, nga neni 402 par. 5 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në kërkesën e paraburgimit.

Në bazë të kësaj kërkese për paraburgim, Antoviq dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi që i është konfiskuar një armë e gjatë në shtëpi kur është bastisur, si dhe për shitblerje të substancave narkotike meqë i janë gjetur po ashtu mbi 900 gramë substanca, të cilat dyshohet të jenë drogë.

Arrestimin e Millosh Antoviqit e ka bërë publik të martën ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka publikuar edhe dy fotografi në të cilat i dyshuari shihet në protestë, duke goditur me shkop pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë.

93 ushtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime nga sulmet e pjesëtarëve të turmës së serbëve, të cilët kanë kërkuar që kryetari i komunës së Zveçanit, Izmir Zeqiri, të mos hynte në ndërtesën e Komunës.