Kronikë

Shtyhet seanca për rastin “Thesari”, i akuzuari Shala po negocion me prokurorinë

Seanca për vjedhjen e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, që ishte paraparë të mbahej të hënën, është shtyrë, ka konfirmuar për KOHËN Florent Latifaj, avokat i të akuzuarit, Kadri Shala.

Ai tha se seanca u shty “për shkak të negocimit me prokurorinë”.

Së bashku me Shalën, për këtë rast akuzohet edhe Labinot Gruda, i cili ka pranuar fajësinë.

Edhe seanca e kaluar ishte shtyrë, por për shkak të mungesës së gjykatëses, Shadije Gërguri.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkohë Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.