Kronikë

Shtetases së Shqipërisë i sekuestrohen mbi 100 boksa cigare në Aeroportin e Prishtinës

Aeroporti

Disa pako me cigare janë sekuestruar të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në njoftimin e lëshuar nga Policia thuhet se në shkuarje për në Londër është ndaluar një grua – shtetase e Shqipërisë - e cila kishte në posedim një çantë krahu, të cilën dyshohej se e kishte të mbushur me pako të cigareve. 

“E njëjta është kontrolluar nga ana e zyrtarëve të X-Rey në prezencë të zyrtarëve kompetentë, ku në bazë të aparatit të kontrollit është detektuar se në çantën e krahut ka një sasi të konsiderueshme të pakove me cigare. Udhëtarja, shtetase nga Shqipëria, dyshohej se përpos çantës së krahut që kishte me vete, ajo në check-in në aeroport, kishte dorëzuar edhe një valixhe në të cilën dyshohej se posedonte po ashtu pako me cigare”, thuhet në njoftim. 

Pas kontrollit, thuhet se janë sekuestruar gjithsej 104 boksa (shteka) cigare ‘Marlboro e kaltër’ dhe 20 boksa ‘Karelia Slims’ me banderola të shtetit të Shqipërisë, të cilat ishin të padeklaruara në Doganën e Republikës së Kosovës. 

“Pakot e cigareve janë sekuestruar dhe rasti i është dorëzuar Doganës së Kosovës për veprime të mëtejme sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu një shtetasi të Shqipërisë iu gjetën dy dronë dhe 49 orë dore të markës SCMI. Ndërsa në një valixhe tjetër u gjetën pesë telefona celularë të markës iPhone 16 Pro Max.