Kronikë

Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, dy të dyshuar në mbajtje

Në të 7 rastet e raportuara viktima të dhunës në familje kanë qenë gratë. Shumica e të dyshuarve për dhunë në familje janë liruar pas ndalimit. Avokatë e sociologë thonë se trajtimi i tillë i të dyshuarve për dhunë po inkurajon dhunuesit ta përsërisin atë e po dekurajon viktimat që ta raportojnë dhunën

Në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje ku të gjitha viktimat kanë qenë gra. Katër nga shtatë gjithsej janë liruar me procedurë të rregullt, ani se nga dhuna e ushtruar prej tyre viktimat është dashur të merrnin edhe trajtim mjekësor. Nga këta persona vetëm dy janë dërguar në mbajtje e njëri nuk ka arritur të arrestohet meqë, sipas Policisë, nuk është hasur në vendin e ngjarjes. 

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi kritikon institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë për mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje.

“Po më duket shumë e dhimbshme dhe gati e papranuar se si viktima të ketë pasoja të dhunës në familje me lëndime dhe të marrë trajtim mjekësor dhe ata persona të mos gjenden prapa grilave. Vetë fakti që kohëve të fundit është shprehur shumë dhuna në familje deri në vrasje, besoj që ata do të duhej t’i merrnin më me seriozitet këto raste, të mos i neglizhojnë”, thekson ajo.

Lirimi i këtyre personave me procedurë të rregullt, avokatja thotë se mund të shihet si inkurajim për dhunuesit, që pavarësisht veprave nuk marrin dënime meritore.

“Paraburgimi kur ndodh që caktohet jep shumë efekte. Për arsye se ata kanë kohë të mendojnë dhe kanë mundësi të shohin se çka ndodh nëse ata bëjnë dhunë në familje për arsye se ballafaqohen drejtpërdrejt me ligjin, e ballafaqimi me ligjin është privimi nga liria”, shton Gashi-Bytyqi.

Në një përgjigje për KOHËN nga Policia e Kosovës kanë thënë se vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti janë raportuar 698 raste. Intensiteti i tillë i rasteve të dhunës edhe në 9 muajt e tjerë të vitit do të tejkalonte shifrat e raportimit në katër vjetët e fundit, bazuar në të dhënat e Policisë.

Në këtë instancë thonë se Policia i trajton me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. 

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është e rëndësisë së veçantë (primare), trajtimi i tillë i rasteve, ka bërë që të rastet e kësaj natyre të raportohen pa hezitim nga viktimat e rasteve dhe nga dëshmitarë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sociologu Jeton Brajshori thotë se mungesa e përkrahjes nga shteti, në të shumtën e rasteve e detyron viktimën që pas raportimit të dhunës të kthehet në të njëjtën shtëpi me dhunuesin.

Kjo, thotë ai, ndikon trauma, në uljen e besimit në institucione dhe uljen e mundësive për raportim nëse dhuna përsëritet.

“Edhe dhuna kur ka ndodhur, edhe vrasjet fatkeqësisht kur kanë ndodhur e kemi parë që personat kanë qenë shumica prej tyre recidivistë. Në mungesë të strehimoreve të mirëfillta në mungesë të ndihmës financiare nga institucionet përkatëse atëherë fatkeqësisht viktima po detyrohet të kthehet me dhunuesin në një shtëpi. Dhe në këtë mënyrë dhunuesi po e ndien veten më superior, duke i bërë presion psikik për arsye se në të ardhmen i thotë nuk ke ku të shkosh, nuk ke ku të kërkosh ndihmë, ti prapëseprapë do të kthehesh tek unë”, ka deklaruar ai.

Vetëm në prill dy gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, njëri prej të cilëve kishte qenë përsëritës i dhunës në familje.