Kronikë

Shqiptari në Zvicër shkatërron BMW-në 100 mijë euroshe disa orë pasi e bleu

Luan T.

Luan T.

Një shqiptar ka shkatërruar BMW M3-shin vetëm disa orë pasi e bleu gjatë fundjavës në Villmergen të Zvicrës. 26-vjeçari, i cili identifikohet me emër të ndryshuar Luan T., në një intervistë për Blickun ka thënë se do të donte ta zhbënte aksidentin.

“E mora veturën e re të shtunën, takova disa kolegë dhe doja të shkoja në shtëpi rehat në mbrëmje”, ka rrëfyer Luan T. Sipas deklaratave të tij, vetura me 510 kuaj fuqi ka kushtuar mbi 103 mijë franga dhe e ka marrë me kredi.

Incidenti ndodhi në orën 00:30 të së dielës (6 tetor). Sipas policisë kantonale të Aargaut, Luan T. humbi kontrollin e veturës në një kthesë. Ai goditi një gardh kopshti dhe u përplas në një garazh.

“Unë në fakt po ecja ngadalë në kthesë. Po ngisja 40 km/h. Më pas vura re se vetura po reagonte me shpejtësi. Isha i shokuar, përplasa frenat dhe më pas ndodhi”, ka rrëfyer versionin e tij shqiptari 26-vjeçar.  

Fatmirësisht, në vendin e aksidentit nuk ka pasur njerëz. Edhe Luan T. nuk ka pasur lëndime.

“Për fat. Më falni për dëmin material, doja vetëm të shkoja në shtëpi”, thotë ai.

Policia ka thënë se BMW M3 është shkatërruar plotësisht dhe tani është në hetime të mëtejshme teknike.

Gjithashtu, kanë bërë të ditur se ia kanë konfiskuar patentë shoferin shqiptarit përkohësisht. Luan T. ka thënë se ishte ende në periudhën e provës pasi ishte përfshirë në një aksident në Luzern muaj më herët.