Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Siç ka njoftuar Policia, nga shpërthimi është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. “Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani për “KosovaPressin”.

Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar. 

Ndërkohë, siç i kanë thënë KOHËS burimet në hetuesi, dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit. Kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.

E Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është në komunikim me akterët relevantë teksa ka shtuar se shpreson në sanim të shpejtë të situatës. Aktualisht ka thënë se s’ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, me marrjen e njoftimit për shpërthimin në gypin e Iber Lepencit, është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, përfshirë IberLepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet tjera të përfshira. KEK shprehet se shpreson për një sanim sa më të shpejtë të situatës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit. Për çdo zhvillim të ri,  të gjitha palët e interesuara do te informohen ne kohe optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nga shpërthimi është rrezikuar një shtëpi e se banorët e saj janë evakuuar.

Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Pas ngjarjes, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Policinë. Gjithashtu, është duke u punuar për zbardhjen e te gjitha rrethanave te këtij rasti”, ka thënë Preteni për televizionin publik.

Në dy ditët e fundit, në veri pati disa incidente të tjera. Në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Për këtë, Policia të premten njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendi. 

Hamza shkon në vendin e shpërthimit në Ibër-Lepenc: Të zbardhet rasti

4 muaj më parë / 30 nën 2024 00:26
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka shkuar në vendin ku ndodhi shpërthimi në Ibër-Lepenc, duke dënuar aktin dhe ka kërkuar nga institucionet ta zbardhin rastin.

“Erdha në Varagë të Zubin Potokut, në vendngjarje, për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara në kanalin ujor nga mjeti shpërthyes. E dënoj aktin dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe ligjit, që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Jam shumë i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e vendit të përfshira në sanimin e dëmit dhe shpresoj të tejkalohet sa më shpejt kjo situatë”, ka shkruar Hamza.

LDK-ja kërkon koordinim me ndërkombëtarët pas shpërthimit në Ibër-Lepenc

4 muaj më parë / 30 nën 2024 00:21
shpërthimi në Ibër-Lepenc

Pamje nga shpërthimi në Ibër-Lepenc

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që institucionet e Kosovës të koordinohen ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që sulme si ai i shpërthimit në Ibër-Lepenc të premten, të mos përsëriten më.

Duke i dënuar sulmet në veri, LDK-ja i ka quajtur të papranueshme dhe kërcënim për sigurinë e stabilitetin e vendit.

“U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre veprimeve kriminale. Po ashtu, kërkojmë një koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar që këto sulme të mos përsëriten dhe të ruhet rendi dhe qetësia publike në Republikën e Kosovës. LDK-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve tanë dhe qëndron fuqishëm përkrah institucioneve shtetërore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin dhe rendin në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kurti i konsideron akte terroriste nga Serbia shpërthimet në veri

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:49
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur akte terroriste nga Serbia, shpërthimet që kanë ndodhur ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës.

Duke komentuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, Kurti ka thënë se ky sulm është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Ky kanal dërgon ujë për ftohje të termocentraleve Kosova A e Kosova B.

“Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë Kurti. “Sulmi është kryer nga profesionistë. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara dhe dirigjuara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë, edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe të eksplozivit në nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Kurti ka thënë se s’ka adrësë tjetër për sulme të tilla “pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, me në krye Milan Radoiçiqin”.

“Ky është sulmi pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimin e ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka njoftuar se menjëherë pas konferencës do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin... Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës së Veriut, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, arsyeja pse Kosova po përballet me këto sulme është “suksesi i Kosovës”.  “Suksesi i Kosovës është duke i çmendur ata”, ka thënë Kurti.

Kryeministri po ashtu ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione për sulm të ri të mundshëm, por ka shtuar se shteti duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.

“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, Qeveria, qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

KOSTT: Furnizimi me rrymë i sigurt në të gjithë Kosovën

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:40
KEK

Photo: Alban Bujari

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT ka njoftuar në mbrëmje se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

“KOSTT informon të gjithë qytetarët e afektuar dhe të gjitha palët e interesuara se incidenti i raportuar së fundmi në kanalet e ujitjes në Ibër Lepenc në Zubin Potok nuk ka asnjë ndërlidhje me ndërprerjet e energjisë që lidhen me NS Prishtina 1, të shkaktuara nga incident i lokalizuar. Furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit. Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike”, njoftimi i plotë i KOSTT-it.

Kanali i Ibër-Lepencit dërgon ujë që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B. 

Osmani: Bandat kriminele serbe do të humbin sërish

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:22
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për shpërthimin në kanalin në Ibër-Lepenc në Zubin-Potok të premten në mbrëmje. Tek e ka quajtur akt terrorist shpërthimin, Osmani ka thënë se “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës” e se “do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.

“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka kërkuar qetësi e maturi nga qytetarët deri sa institucionet të merren me hetim të rastit dhe sanimin e dëmit.

“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e poashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka bërë të ditur ajo. 

Ambasadori i BE-së dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:10
Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav, e ka dënuar shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

Oravi ka shkruar se ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë

“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav në “X”.

SHBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen tonë

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:09
Jeffrey Hovenier

Photo: Driton Paçarada

SHBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen tonë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka dënuar fuqishëm sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës të premten vonë, ndërsa i ka shprehur mbështetje të plotë Qeverisë.

Në një postim në “X”, Hovenier bëri të ditur se janë duke e përcjellë situatën nga afër dhe do ta mbështetin hetimin gjithëpërfshirës.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, Hovenieri ka dënuar sulmet me granata në Zveçan.

“Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.

Sveçla e quan akt terrorist shpërthimin në Ibër-Lepenc

4 muaj më parë / 29 nën 2024 23:05
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

“Diku para orës 19:00, sipas raportimit të Policisë është dëgjuar një shpërthim ku pas lajmërimeve Policia ka ardhë në vendin e ngjarjes dhe është parë se si rezultat i një akti terrorist një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, që cilësohet si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë ai nga vendi i ngjarjes mbrëmjen e së premtes. 

Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë eksplozivë nga stoqet e Serbisë.

“Po. Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla.