Kronikë

Shembet dheu në një vendpunishte në Velani të Prishtinës

Shembja e dheut në Velani

Në një vendpunishte në lagjen “Velania” të Prishtinës është shembur dheu të dielën në mesditë.

Zëvendëskomandanti i Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, ka thënë për KOHËN se nuk ka të lënduar nga ky rast. 

Ai ka njoftuar se kanë qenë të rrezikuara katër automjete të parkuara, por është arritur të bëhet largimi i tyre. 

Sipas Shkodrës, çarja është bërë buzë ndërtimit të ri.

“Sapo ka përfunduar intervenimi. Katër vetura kanë qenë të parkuara dhe ishin të rrezikuara që nga shembja e dheut të binin në vendpunishte. Tri nga to i kemi larguar, ndërsa një tjetër, më pak e rrezikuar, pritet që ta largojë automjeti për bartje. Jemi afër shtatores së ‘Isa Kastrati’, Brigada ka pranuar lajmin në 12:09 minuta, buzë ndërtimit të ri është bërë çarja. Nuk është rrezikuar ndonjë banorë”, ka thënë Shkodra. 

Për rastin ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka njoftuar se është ndërmarrë një intervenim i menjëhershëm për largimin e katër veturave që ishin të parkuara në lagje pranë një grope ndërtimore, të cilat paraqisnin rrezik potencial për rrëshqitje. 

"Veprimi është realizuar në mënyrë të koordinuar dhe të sigurt, duke mbyllur përkohësisht rrugën e dëmtuar me shirita sigurie dhe duke vendosur sinjalizime përkatëse afër rrethojave të kantierit ndërtimor. Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm Policia e Kosovës, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve (BPZ), Kompania për Intervenime Emergjente e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, pronarët e veturave, si dhe përfaqësuesi i kompanisë ndërtimore. Të gjitha veprimet janë realizuar me prioritet të sigurisë së qytetarëve dhe të ambientit përreth", thuhet në reagim.