Policia ka njoftuar se sërish janë gjetur armë, pajisje për prodhim të kriptoavalutave dhe pajisje të tjera të dyshimta në veri të Mitrovicës.
Siç është bërë e ditur, këto armë dhe pajisje tjera të dyshuara janë gjetur të mërkurën në një shtëpi dhe objekte përcjellëse të saj në rrugën “Kollashini” në Mitrovicën e Veriut.
“Dëshmitë e gjetura dhe të konfiskuara janë: Një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, 42 minera për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, 14 fishekë të revoles kalibri 9 mm, një radiolidhje, një kamerë vëzhgimi, një divijar, një vulë metalike dhe një letërnjoftim”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës.
Tutje thuhet se lidhur me rastin nuk është arrestuar asnjë person.
“Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’”, thuhet tutje në njoftim.