Prokuroria Themelore në Prishtinë po i heton tre persona për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të enjten është zhvilluar një operacion policor nga Krimet e Rënda në Prishtinë, ku janë shoqëruar për në Polici disa persona dhe janë sekuestruar 25.000 euro. Z.M., D.F. dhe V.S., dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, derisa të enjten janë zgjeruar hetimet.
Prokuroria ka bërë me dije se është aktivizuar Njësia Kundër Pastrimit të Parasë.
“Gjatë zbatimit të masave të tilla, përfshihet në veprën penale dhe i pandehuri i tretë me inicialet V.S, për çka, Prokurori i Shtetit, më 26 dhjetor 2024, ka zgjeruar hetimet në drejtim të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”’ nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së dhe ‘Marrja e ryshfetit’...Gjatë këtij operacioni, në zbatimin të urdhëresave të tilla, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arritur që të shoqërojë në Polici disa persona dhe të sekuestrojë shumën prej 25.000 eurosh”, thuhet në njoftimin për media.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të arrestuarit janë zyrtarë të Komunës së Graçanicës. Në tri lokacione të ndara gjatë kontrolleve janë gjetur shuma parash.
“Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (V.S.) janë sekuestruar 5,000.00€ (pesëmijë euro) para të gatshme; Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (D.F.) janë sekuestruar 2,000.00€ (dymijë euro) para të gatshme; Po ashtu janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm. Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës, të cilëve Prokurori i lëndës; dy prej tyre (V.S dhe Z.M ), ju ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa tre personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin policor.