Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës në një operacion të koduar “007”, ka njoftuar se ka sekuestruar 10 kilogramë substancë narkotike që dyshohet te jetë e llojit kokainë.
Substanca është gjetur të hënën në një veturë në magjistralen Fushë-Kosovë-Prishtinë, e cila ishte ndaluar pasi dyshohej për trafikim me substanca narkotike.
Vlera e substancës thuhet se është 450 mijë euro.
“Gjatë operacionit policor të koduar ‘007’, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, thuhet se në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një veturë me targa vendore, 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro), 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë), dy telefona celularë, 17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë për aksionin e suksesshëm.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm që rezultoi me sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve substancë narkotike kokainë në vlerë 450 mijë euro, 1445 eurove, 8970 dinarëve, dy telefonave celularë, 17 kartelave grafike për prodhimin e kriptovalutave, si dhe me arrestimin e të dyshuarit i cili rezulton të jetë i përfshirë në aktivitete te shumta kriminale. Siç kam theksuar në vazhdimësi, aktivitetet policore në luftimin e krimeve pavarësisht llojit të krimit, por edhe përkatësisë nacionale do të jenë të pandalshme dhe të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.