Kronikë

Rekomandohet suspendimi i një polici në Viti, dyshohet se sulmoi një qytetar

Inspektorati policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Viti, pasi dyshohet se e ka sulmuar një qytetar për shkak të një kontesti pronësor.

Sipas IPK-së, incidenti ka ndodhur më 24 mars pas një mosmarrëveshjeje mes zyrtarit policor dhe qytetarit. Rasti në Prokurorinë Themelore të Gjilanit është iniciuar si “lëndim i lehtë trupor”.

“IPK ka parashtruar rekomandimin për suspendim pasi që ndaj rreshterit policor është iniciuar një hetim penal që do të zhvillohet në koordinim me Prokurorinë Themelore Gjilan lidhur me veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’. Incidenti ku është përfshirë si i dyshuar zyrtari policor raportohet të ketë ndodhur në qytetin e Vitisë më 24.03.2025 rreth orës 21:00, pas një mosmarrëveshjeje të zyrtarit policor me një qytetar lidhur me një kontest pronësor”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast”, thuhet në njoftim.