Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Mitrovicë të Veriut, pasi thuhet se më 26 tetor kanë keqtrajtuar një person që kishte dëmtuar një dyqan privat.
Zyrtarët policorë, njëri prej tyre rreshter, thuhet se e kishin keqtrajtuar personin me inicialet M.S., gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident.
“Duke ju referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin ‘Car Llazar’ të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut. Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast. Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmerr edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Të dyshuarit i ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje.