Kronikë

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, 62 vjet burgim për 6 të akuzuar

Pallati i Drejtësisë

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 62 vjet burgim 6 të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vejçares. 

Një prej të akuzuarve është dënuar me 12 vjet burgim, 5 janë dënuar me nga 10 vjet burgim dhe një është liruar në mungesë të provave. 

"Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç", thuhet në njoftimin e Gjykatës. 

Avokatja e viktimës Kimete Krasniqi, ka thënë se ky është vendim meritor.

Ajo ka theksuar se viktima gjendet në strehimore. “Gjendja e saj është jo e kënaqshme por ajo është duke u trajtuar nga institucionet përkatës”, është shprehur Krasniqi.

Haxhi Millaku, avokat i njërit prej të dënuarve, ka thënë se klienti i tij është dënuar me 10 vjet burgim “për një kontakt që e ka pasur 5 minuta”.

“Klienti im është dënuar me 10 vjet, për një kontakt që e ka pasur 5 minuta, është e tmerrshme, ka qenë kontakt që e ka kontaktuar, edhe ai as ajo nuk e ka njohur as nuk e ka identifikuar, vetëm bisedë dhe asnjëherë nuk e ka identifikuar klientin tim, edhe brenda seancë kemi kërkuar identifikimin edhe brenda seancës, nuk e njeh”, është shprehur Millaku. 

Ai i ka akuzuar institucionet e drejtësisë për fabrikim të këtij rasti. 

“Kemi të bëjmë me një fabrikim komplet, nga fillimi deri në fund, të një situate inekzistente apo thënë me tepër është simulim i vetë organeve të drejtësisë. Me të vetmin qëllim që ta arsyetojë mediumet se ndodhi kjo dhe një grup i personave kanë pasur kontakt me një fëmijë 11-vjeçar ... është skandaloze”, ka deklaruar Millaku. 

Ai ka pretenduar se viktima është mbi 16 vjeçe. 

“Shkenca e mjekësisë, në kuptimin shkencor, radiologjik, dora e majtë, kocka e vërteton që është mbi 16 vjeç. , prandaj është e tmerrshme ... Janë normat imperativë që nuk guxon t’i anashkalojë drejtësia, është skandal”, ka theksuar Millaku. 

VIEDO:

Prokuroria Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të moshës madhore, si të dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor.
Sipas aktakuzës, B.Rr. ngarkohet për veprën penale të “dhunimit”. Për “dhunim” dhe “trafikim me njerëz” ngarkohet D.Rr.. 
Ndërkohë G.S. dhe B.S. akuzohen për “shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”. M.S. ngarkohet për “dhunim”, ndërsa F.S. ngarkohet për “dhunim” dhe “trafikim me njerëz”. M.R. ngarkohet për veprën penale të “shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit”. I pandehuri E.S. ngarkohet për “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Haxhi Millaku, avokat i njërit prej të dënuarve

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares pati tronditur opinionin kur u bë publik në muajin gusht të vitit 2022. Atë kohë fillimisht u raportua për pesë persona të dyshuar për dhunim të fëmijës. Më pas u zbulua se 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor.