Zjarri ka përfshirë një pjesë të fshatit Vershevc dhe Terbovc të Lipjanit gjatë së shtunës, ka njoftuar të dielën Policia.
Siç është bërë e ditur, në dy rastet e ndara bëhet fjalë për djegien e një pjese të pyllit dhe një pjesë të fushave.
“Është raportuar se nga zjarri është përfshirë –djegur një pjesë e pyllit. Njësit relevante dhe ekipi i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Vlera e dëmit nuk dihet, nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë për rastin në Vershevc.
Edhe në Terbovc, rast i cili është raportuar rreth orës 12:00, teksa thuhet se në disa pjesë ka qenë e pamundur të lokalizohet zjarri.
“Është raportuar se nga zjarri është përfshirë –djegur një pjesë e fushave. Njësit relevante dhe ekipi i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin përveç në disa vende ku është e pamundur intervenimi, është njoftuar prokurori, rasti nën hetime”, ka njoftuar Policia.
Një tjetër rast i zjarrvënies të shtunën është raportuar në Shtërpcë.
“Më datën dhe kohën e lartcekur është raportuar se në Shtërpcë në vendin e quajtur Taraija është një zjarr. Dëmet nga zjarri janë shkaktuar në barishte të thata si dhe një pemishte. Në vendin e ngjarjes njësia e zjarrfikësve e ka lokalizuar zjarrin, ndërsa deri me tani nuk kemi ndonjë ankues pasi që prona e përfshirë në zjarr është pronë private”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Teksa në Sopijë të Suharekës është raportuar një rast i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, që ka të bëjë me përfshirjen e zjarrit në një stallë të bagëtive.
“Ankuesi kosovar ka njoftuar policinë se i është djegur stalla e bagëtive. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga djegia e disa mbeturina dhe si pasojë e erës së madhe është përfshirë edhe stalla. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin”, thuhet në raport.