Kronikë

Raportohet e zhdukur një shtetase e Malit të Zi, që nga shkurti jetonte në Manastirin e Graçanicës

Manastiri i Gracanices policia

Manastiri i Graçanicës (Foto-Ilustrim)

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka njoftuar se është raportuar e zhdukur një shtetase e Malit të Zi, e cila nga shkurti i këtij vitit thuhet se ka qëndruar në Manastirin e Graçanicës. 

Rasti thuhet se ka ndodhur më 24 dhjetor. 

“Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar policinë se nga Manastiri i Graçanicës është larguar viktima femër serbe shtetase e Malit të Zi, e cila ka qenë duke qëndruar në manastir që nga muaji shkurt 2024 dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

“Sipas dëshmitares në dhomën ku ka qëndruar viktima janë gjetur dokumentet personale të viktimës. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti”, thuhet tutje në raport. 

Në raportin e Policisë thuhet gjithashtu se një vajzë është raportuar e zhdukur në Lipjan. Ajo thuhet se është larguar nga shtëpia më 21 dhjetor dhe rasti është raportuar në Polici nga nëna e saj. 

“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar policinë se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e Policisë.