Kronikë

Raportohen 7 raste të dhunës në familje, në 5 prej tyre burrat rrahën gratë

Policia e Kosoves

Foto: Ilustrim

Në 24 orët e fundit janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.

Në 5 prej këtyre rasteve burrat janë raportuar për ushtrim të dhunës ndaj grave të tyre, në një rast reja ka raportuar për dhunë ndaj saj dhe bashkëshortit, vjehrrin dhe kunatin, ndërkohë që në një rast nëna ka e ka raportuar për dhunë vajzën e saj.

Një rast i dhunës në familje është raportuar në Gjakovë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Një tjetër rast ka ndodhur në Malishevë, ku një grua është hasur në rrugë nga Policia dhe ka thënë se është larguar nga shtëpia si pasojë e dhunës që ka ushtruar burri i saj.

“Më datë 01.05.2024 rreth orës 00:10 nga njësia policore është hasur viktima femër e cila ka njoftuar se është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj i dyshuari mashkull kosovar. Pasi që viktima kishte lëndime është dërguar te mjeku i QKMF dhe më pas me pëlqimin e saj është dërguar në strehimore. Lidhur me rastin, deri me tani nuk është arritur që të sigurohet prezenca e të dyshuarit”, thuhet në raportin e Policisë. 

Një rast tjetër ka ndodhur në Vushtrri. 

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë. 

Një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Drenas. 

“Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë. 
“Viktima femër kosovare, ka raportuar se para një muaji, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Në një rast në Lipjan reja ka raportuar për ushtrim të dhunës ndaj saj dhe bashkëshortit, vjehrrin dhe kunatin.

“Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar fizikisht nga vjehërri dhe kunati i saj. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit (vjehërri) është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë që në një rast tjetër në Prishtinë nëna ka raportuar për dhunë vajzën e saj.

“Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga vajza e saj. E dyshuara është sjellë në polici ku ka refuzuar të deklarohet. E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.