Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit pesë personave të dyshuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në fshatin Volljakë të Klinës, të enjten në mbrëmje.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se Nderim Gashi, Agron Gashi, Basri Gashi, Ardit Gashi dhe Bahri Gashi (të gjithë familjarë), gjenden në ndalim policor nga 28 prilli, ku i pari dyshohet se kreu veprën “Vrasje e rëndë” dhe katër të tjerët kryen veprën “Vrasje në tentativë” për dy personat e tjerë të cilët u plagosën.
Në arsyetim thuhet se ekziston rreziku i arratisjes së tyre, i asgjësimit, fshehjes ose ndryshimit të provave dhe rreziku se mund ta përsërisin veprën penale nëse lihen në liri.
Po ashtu në kërkesë thuhet se sulmi kishte ndodhur në prani të grave e fëmijëve të viktimave.
Sipas kërkesës, të pandehurit nga hakmarrja e familjeve mes vete, me armë dhe mjete të forta, shkuan te restoranti “La Villa” në Volljakë, dhe në parkingun e tij i kanë pritur viktimat. Më pas, pala e dëmtuar ishte sulmuar fillimisht me mjete të forta, si lopatat, dhe më pas edhe shtien ndaj tyre.
Famlja Hoxha po darkonte në iftar së bashku me familjarët e tyre, ka sqaruar Prokuroria, “dhe me të dalë nga restoranti në fjalë me fëmijë dhe gra, të pandehurit i sulmojnë fizikisht me mjete të forta lopata etj, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast i pandehuri Nderim, shtie edhe ndaj të dëmtuarit Mahmut, duke i shkaktuar plagë në këmbën e majtë poshtë gjurit e gjersa të dëmtuarit, Albert Hoxhaj i shkaktojnë lëndime trupore në pjesën e kokës dhe të trupit, duke e goditur me mjet të fortë-lopatë në pjesën e kokës”.