Prokuroria Themelore në Prizren ka ngrehur aktakuzë kundër të pandehurit R.Ç. për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, R.Ç. më 22 gusht në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim shpërndau dhe ofroi për shitje substanca narkotike. Substancën që e siguroi përmes rrugëve ilegale ai e mbante në shtëpi dhe nga aty ua shiste në sasi të vogla personave të tjerë.
“Pas sigurimit të informatave operative lidhur me narkotikun që posedonte i pandehuri, sapo haset nga zyrtarët policorë në afërsi të rreth rrotullimit në lagjen ‘Bazhdarhana’, tentojnë ta ndalin mirëpo i njëjti arrinë të ikë në drejtim të shtëpisë së tij, ku edhe arrestohet dhe gjatë kontrollit të kryer, saktësisht në dhomën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar: një qese brenda së cilës ishin tridhjetë qese plastike me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë prej 32.03 gram, një qese me narkotik të llojit ‘marihuanë’ me peshë 0.28 gram, një qese brenda së cilës janë njëzetë e tre qese plastike me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë 13.79 gram, një çantë e zezë krahu me mbishkrimin “NIKE” brenda së cilës është një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë 177.18 gram, 3 qese me substancë narkotike të llojit ‘kokainë’ me peshë prej 5.32 gram, gjashtë paketime me qese te zbrazëta që shërbejnë për paketim të narkotikëve dhe dy peshore “constant” ngjyrë e zezë dhe metalike, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezultojnë për narkotikë të llojit ‘marihuanë’ me peshë të përgjithshme prej 223.28 gram, si dhe narkotikë të llojit “kokainë” me peshë prej 5.32 gram”, thuhet në njotimin e Prokurorisë.