Kronikë

Prokuroria e prezanton si provë videon e momentit të vrasjes “për 20 euro”

Videoja ku shihet e tërë ngjarja që i parapriu vrasjes së Shaip Krasniqit është prezantuar si provë e re nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

E shfaqur në seancën e mbajtur të enjten, në të shihet konflikti mes Krasniqit dhe të akuzuarit për vrasje, shokut të tij, Sylejman Ahmeti, në një lokal në fshatin Maqitevë të Suharekës. Videon, në të cilën shihet edhe vetë momenti i vrasjes, KOHA nuk po e shfaq shkaku i ndjeshmërisë së rastit.

I akuzuari për këtë vrasje të rëndë ka qëndruar kokulur gjatë gjithë kohës që është shfaqur videoja. E, derisa familjarët e të akuzuarit nuk mund t’i mbanin lotët, bashkëshortja e të ndjerit nuk qëndroi fare në sallë për ta parë atë.

Kjo provë u kundërshtua nga avokati i të akuzuarit, që tha se ajo ishte siguruar kundërligjshëm nga ana e prokurorit.

“Sikurse 90% të provave materiale ashtu edhe CD DVD e keni siguruar gati në gjysmë të këtij shqyrtimi gjyqësor. Sa i përket ligjshmërisë së dëshmive të videoincizimeve, unë kërkoj nga trupi gjykues që të bëjë veçimin e provës”, ka deklaruar avokati Niazi Mustafi.

Në këtë seancë, prova paraqiti edhe avokati i të akuzuarit. U prezantuan disa mesazhe të shkëmbyera ndërmjet të ndjerit me vëllain e të akuzuarit, si dhe një mjet që u tha se Krasniqi e kishte pasur në dorë, në kohën e konfliktit me të akuzuarin, në ditën kritike.

Edhe pse këto prova u kundërshtuan nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, ato u administruan.

“Sa u përket provës së dytë, mesazheve të shkëmbyera në mes të të ndjerit dhe vëllait të të akuzuarit, përveçse nuk dihet se nga janë nxjerrë vëllai i të akuzuarit, as që ka qenë në vendin e ngjarjes në ato momente kritike. Sa i përket provës së tretë, bishti i sëpatës nga videoincizimi, i cili u shfaq në monitor, nuk u vërejt asnjë veprim nga i ndjeri”, tha avokati Miftar Qelaj.

Sipas Prokurorisë në Prizren, Krasniqi dyshohet se është vrarë nga shoku i tij shkaku i një borxhi prej 20 eurove, më 26 janar të vitit 2020, në një lokal të fshatit Maqitevë të Suharekës.

Përveç veprës penale, “vrasje e rëndë”, Ahmeti akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”. Për këtë të fundit, i akuzuari tashmë e ka pranuar fajësinë.