Prokuroria Themelore në Prishtinë do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj 25-vjeçarit L.H., i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kolovicë të martën mbrëma dhe për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë për KOHËN se kjo kërkesë do të paraqitet brenda afatit ligjor në gjykatën kompetente.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit L.H., për shkak të veprave penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas KPRK-së. Brenda afatit ligjor, prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente”, ka thënë ajo.
L.H., dyshohet se është përfshirë në vrasjen e martës, ku përveç E.H., mbeti e plagosur edhe një grua që nuk ishte e përfshirë në rast. Ajo vdiq një ditë pas në Qendrën Klinike Universitare.
I dyshuari L.H. është njëri prej të plagosurve nga këto të shtëna. Ai është marrë në intervistim pas trajtimit në QKUK.