Katër të akuzuarit për terrorizëm, Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, dolën të mërkurën para gjykatës, në rastin penal ku akuzohen për terrorizëm. Prokurori tha se ata komunikonin me kode mes vete dhe se granatat e përdorura ua solli autoambulanca
Janë paraqitur fjalët hyrëse e edhe dëshmitë në gjykimin ndaj Millun Millenkoviqit, i njohur si “Llune”, dhe ish-policëve Dejan Pantiqit, Aleksandar Vlajiqit dhe Miomir Vakiqit, të akuzuar për terrorizëm për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri, në dhjetor të 2022-tës.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka dekoduar një bisedë mes të akuzuarve Pantiq e Vakiq, në të cilën flasin për dardha e molla, por që, sipas prokurorit, nënkuptojnë diçka tjetër.
“I pandehuri Pantiq i kishte thënë të pandehurit Vakiq se aty shkunden dardhat. Duke aluduar se aty janë të vendosur policia dhe se mund të hidhen edhe mjete shpërthyese, për çka i pandehuri Vakiq ia kishte kthyer përgjigjen: Ti gjuaja ndonjë mollë atyre”, ka thënë prokurori Kodraliu.
Prokurori Kodraliu ka thënë se ka videoincizime dhe fotodokumentacion që dëshmojnë se nga një autoambulancë i pandehuri Millenkoviq ka marrë granata, që më pas i ka përdorur në sulm.
“Disa minuta para shpërthimit, duke marrë mjetet shpërthyese nga një autoambulancë me alarm, dhe nga burime të tjera në terren të cilat kanë qenë në përcjellje të tij, është dëgjuar duke u thënë personave të tjerë ‘shpejt, shpejt dhe mos harroni t’i merrni ato’”, ka thënë prokurori.
Sipas aktakuzës, autoambulanca është parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi.
Ajo është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.
Avokati i “Llunes”, Miodrag Bërklaq, ka kundërshtuar këtë pretendim të prokurorisë dhe ka propozuar që si dëshmitarë të ftohen punëtorët e Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicën e Veriut dhe dokumente të këtij institucioni shëndetësor.
“Propozoj që Gjykata ta sigurojë librin e protokollit të Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicën e Veriut ku regjistrohen të dhënat në rubrikat e caktuara për çdo dalje të veturës së ndihmës së parë në terren”, ka thënë avokati Bërklaq.
Parashtrimi u pranua nga trupi gjykues.
Edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë kundërshtuan disa nga provat dhe aktakuzën e cilësuan si joprofesionale.
Avokati tjetër i Millenkoviqit, Predrag Milkoviq, kërkoi nga gjykata rishqyrtimin e masës ndaj klientit të tij, në mënyrë që të mbrohet në liri. Ai ofroi si dorëzani 70 mijë euro për të garantuar se “Llune” nuk do t’i shmanget drejtësisë.
Këtë kërkesë e kundërshtoi prokurori Kodraliu, e gjyqtari Valon Kurtaj tha se vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.
Kodraliu tha se Llune në rrjete sociale është vetëdeklaruar si zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut, organizatë kjo e shpallur terroriste nga institucionet e Kosovës.