Pavarësisht kundërshtimeve të të akuzuarit Shaban Gogaj për të mos i pranuar avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, seanca gjyqësore për vrasjen e të riut, Agonis Tetaj, ka vazhduar.
“Unë e kam avokat Besnik Berishën, dhe nuk u besoj avokatëve të tjerë, për mua s’kanë çka me ardhë”, ka thënë Gogaj, derisa gjyqtarja i ka treguar se s’mund të vazhdojë pa pasur avokat të caktuar, dhe se tashmë është një avokate sipas detyrës zyrtare.
Avokate e Gogajt është caktuar Sabrije Abazi.
Në seancën që po mbahet të enjten, janë ftuar dëshmitarët.
Kjo është hera e parë që seancat i janë kthyer normalitetit pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha nga rasti. Ngërçi qe thelluar me refuzimin e Gogajt për të gjithë avokatët e caktuar nga trupi gjykues.
Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, e cila ndodhi në shtator të vitit 2018.