Kronikë

Policia sqaron arrestimin e personit të gabuar për therjet në Ferizaj

Policia

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Policia ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e më pas lirimin e personit të gabuar për rastin e therjes me thikë të katër personave të hënën në Ferizaj.

Në komunikatën e lëshuar nga Policia, thuhet se personi që është arrestuar fillimisht është dukur sikurse personi që dyshohet se e ka kryer veprën penale.

“Nga terreni janë siguruar videoincizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se pas lajmërimit në polici nga i dyshuari për kryerjen e veprës penale, i arrestuari i parë është liruar. 

“Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I (M/K) i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj. Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore”, ka bërë të ditur më tej policia.