Kronikë

Policia: S’ka mjet shpërthyes në rrugën për Germi

Dyshohet për mjet shpërthyes në rrugën për Gërmi

(Përditësuar - 13:03) - Policia e Kosovës njoftoi se nga veprimet operative të kryera ka rezultuar se s’ka mjet shpërthyes në rrugën për Gërmi në Prishtinë, por bëhet fjalë për një pajisje të veturës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se njësitet e specializuara për menaxhim me mjetet shpërthyese i kanë kryer kontrollet e duhura.

Ajo tha se rruga është liruar për qarkullim.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes. Bëhet fjalë për një pajisje të veturës. Pas përfundimit të ekzaminimit rruga është liruar për qarkullim”, njoftoi Ahmeti.


Dyshohet për mjet shpërthyes në rrugën për Gërmi

Policia ka mbyllur rrugën që çon në Gërmi pasi dyshohet për mjet shpërthyes aty. 

Të enjten në mëngjes ekipet përkatëse kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur të ndërmarrin veprimet e duhura. 

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Shpëtim Robaj’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Policia.