Kronikë

Policia raporton për shtatë raste të dhunës në familje

dhuna ne familje

Të paktën shtatë raste të dhunës në familje janë regjistruar në raportin e fundit të Policisë së Kosovës, shumica prej tyre të ndodhura në 24 orët e fundit. 

Një nga këto raste është regjistruar në Istog, ku një grua është dërguar në repartin psikiatrik për trajtim mjekësor pas sulmit fizik ndaj një familjari.

Policia ka njoftuar se e njëjta është me probleme psikike, ndërsa po trajtohet nën mbikëqyrje të policisë, pasi prokurori i ka shqiptuar masën e ndalimit. 

Një tjetër rast është raportuar në Rahovec të dielën paradite, ku pas dhunës fizike që ka përjetuar nga një anëtare e familjes, viktima është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë në kërkim të të dyshuarës.

Dy raste të dhunës në familje janë regjistruar në Pejë, ku në njërin rast është ushtruar dhunë nga një burrë ndaj një gruaje, ndërsa në rastin tjetër i dyshuari është dërguar në mbajtje pas dhunës fizike ndaj një anëtari të familjes. 

Pas një mosmarrëveshjeje midis një burri dhe një gruaje brenda familjes në Gjakovë, kjo e fundit është keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga i dyshuari. 

Palët thuhet se janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një person ka raportuar të dielën në Fushë-Kosovë se një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij. 

“Pas intervistimit të palëve, në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti, dhe palët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim të Policisë. 

Në Obiliq është arrestuar i dyshuari për dhunë në familje që raportohet të ketë ndodhur para 10 ditësh. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.