Kronikë

Policia: Qytetari serb që pretendon se u keqtrajtua, u arrestua për vandalizëm

Vandalizem

Policia e Kosovës ka thënë se qytetari i kombësisë serbe, M.S., që pretendon se u keqtrajtua nga zyrtarët policorë të Kosovës në orët e para të së shtunës në Mitrovicën e Veriut, në gjendje të dehur kishte tentuar të dëmtonte rrethojat e një lokali dhe kishte ofenduar zyrtarët policorë.

Të shtunën, M.S. në mediat lokale serbe u shpreh se është keqtrajtuar në stacionin policor. Për të reagoi edhe shoqëria civile e Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. 

Në mbrëmje, Policia e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, ka dhënë detaje për rastin që ka ndodhur afër sheshit “Car Llazar”. Sipas njoftimit, rreth orës 02:35, personi në fjalë ka tentuar të dëmtonte gjëra e pajisje që ishin të rrethuara me rrjetë, e që ishin pronë e një dyqani. Sipas njoftimit, personi ka kaluar rrjetën dhe ka dëmtuar gjërat në pronën private.

Në njoftim po ashtu thuhet se zyrtarët fillimisht i kanë kërkuar të ndalohet, por ai ka refuzuar t’u bindet urdhrave dhe ka ofenduar zyrtarët. Pas kësaj, ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion.

“Edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të njëjtin ta ndalojnë së vepruari dhe së fyeri, i njëjti nuk ka ndaluar dhe nuk iu është bindur urdhrave të ligjshëm policorë, andaj zyrtarë janë detyruar që të njëjtin ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor”, ka njoftuar Policia. 

Sipas Policisë, i dyshuari ka refuzuar ta bëjë testin e alkoolit.

Policia ka thënë se ndaj tij ka shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas është liruar.

Në njoftim thuhet se Policia ka kërkuar nga Inspektorati “për të hetuar pretendimet e ngritura se kinse zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar personin në fjalë”.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e pronës publike dhe private, si dhe trajtimin e të gjithë qytetarëve pa dallim sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në njoftim.

E Inspektorati, paraprakisht ka njoftuar se do t’i verifikojë pretendimet për rastin në Mitrovicë të Veriut dhe se ka nisur procesin e grumbullimit të informacioneve.