Policia e Kosovës në Gjakovë ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi që dyshohet për vjedhjen e një kutie me para që janë mbledhur për bamirësi.
“Me datën 30.03.2024, në Stacionin Policor në Rahovec është raportuar rasti i vjedhjes së një kutie qelqi me para të destinuara për bamirësi, në një barnatore në qytetin e Rahovecit. Policia menjëherë ka filluar me veprime hetimore, me ç’rast edhe janë siguruar fotografi të personit të dyshuar. Deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i tij, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore”, thuhet në kërkesën e Policisë.
Tutje thuhet se Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë).
Kërkesa e policisë thuhet se është bërë bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë së personit të dyshuar në rast, me qëllim identifikimin e tij.