Kronikë

Prokuroria: Motivi për vrasjen e rreshterit Lika lidhet me punën e tij si polic

konference-Daut Hoxha

Foto: KOHA

(E përdituar në 11:45) - Policia e Kosovës në aksionin e zhvilluar sot në Kaçanik, lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, ka arrestuar shtatë persona të dyshuar. 

Në konferencën për media të mbajtur lidhur me këtë rast kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, ka thënë se personat e arrestuar do të dërgohen në mbajtje dhe do të vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme. 

“Sipas dyshimeve tona motivi lidhet me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Çerkini.

Ndërkohë drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka theksuar se disa prej të arrestuarve kanë të kaluar kriminale. 

"Kemi arritur të sigurojmë prova të cilat e ndërlidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë, mbetet të shihet backgroundi i tyre, disa kanë pasur të kaluar kriminale kanë qenë të arrestuar te rastet e mëhershme që ndërlidhen me prirje ekstremiste ... Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare dhe në disa raste kur disa prej tyre kanë qenë të arrestuar, që lidhen me pamfletin dhe djegien e Gjykatës në Kaçanik”, është shprehur Hoxha.

Ai ka thënë se në mesin e të arrestuarve është edhe djali i një polici.

“Gjatë ditës së sotme është arrestuar edhe një person, i cili është biri i një polici tonë, në shtëpinë e të cilit ne kemi kryer bastisje. Me qëllim të verifikimit të çdo mundësie të mundshme është konfiskuar arma e tij zyrtare, pra është armë zyrtare e policisë së Kosovës, një polici që punon në drejtimin e policisë kufitare”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka thënë se në aksion janë bastisur 9 lokacione, shumica në Kaçanik dhe 1 në Klinë. 

“Janë sekuestruar dy vetura, fishekë, dylbi dhe dëshmi të tjera”, është shprehur Hoxha. 

Ai ka thënë se në mesin e të arrestuarve është një ish-pjesëtar i FSK-së. 

Hoxha ka theskuar se njëri nga të arrestuarit sot i ka mbushur 18 vjet. 


Policia me operacion në Kaçanik për rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika

Një operacion policor është zhvilluar të hënën në Kaçanik.

Ky aksion ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, ka njoftuar për KOHËN, zëdhënësja e Policisë, Luljeta Mehmeti.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik”, ka thënë ajo.

Mehmeti ka shtuar se informacionet shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit policor.

Pas nisjes së këtij aksioni ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Rreshteri Lika është vrarë më 1 prill në hyrje të ndërtesës së tij. 

Prokuroria Themelore e Ferizajt pati njoftuar se nga provat materiale të siguruara shihet se dy persona e kanë vrarë Likën gjatë mbrëmjes të asaj dite. 

Kryeprokurori Burim Çerkini ka thënë se autorët shihen në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë.

Ai ka thënë se autorët duken të rinj në moshë.

Autorët s’kanë përdorur maska, por kanë pasur kapela, sipas Prokurorisë. “Megjithatë, ka qenë natë dhe ka qenë zor të identifikohen”, ka thënë ai.

Për këtë vrasje kanë reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të cilët kanë thënë se vrasja e Likës është sulm ndaj institucioneve dhe se do të ndriçohet.