Kronikë

Policia mbyll gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e së hënës ka mbyllur 6 njësi të Bankës Postare Kursimore në veri të vendit. 

“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Sipas njoftimit ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë dhe se dëri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident. 

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës Bankë Postare Kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

Zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani, për “60 Minuta” në KTV, ka thënë se tri pika janë në Mitrovicën e Veriut e nga një në Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq. 

“Dyshohet për çdo veprimtari të mundshme kriminale, nga mosregjistrimi i biznesit, evazioni fiskal e gjëra tjera”, ka thënë Elshani, që ka shtuar se policia gjendet në këto pika me ATK-në dhe se mund të përfshihet më vonë edhe njësiti i krimeve ekonomike. 


Policia me aksion në kursimoret e Postës në disa lokacione në veri

Policia e Kosovës po zhvillon aksion në disa Kursimore të Postës në veri. Raportohet për aksion së paku në një kursimore në Mitrovicë të Veriut e një në Leposaviq. 

Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është mbajtur nën dyshimin që disa biznese po zhvillojnë veprimtari të kundërligjshme.

Sipas tij, aksioni është duke u zhvilluar bashkë me ATK-në dhe me autorizim të prokurorit.

“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në veri të vendit është duke u zhvilluar veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi nderhyrë dhe të njëjtat jemi duke i kontrolluar. Me neve është edhe ATK”, ka thënë Elshani. 


Miell, vezë e gjëra tjera ushqimore, "aksion simbolik" para objektit të kursimore në Mitrovicën e Veriut

Përpara qendrës kryesore të Bankës Kursimore Postare në Mitrovicën e Veriut, kreu i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, me disa të tjerë, kanë bërë një aksion simbolik në shenjë proteste, raporton “Kossev”. 

Ata derdhën miell, vezë, krem banane para objektit dhe po ashtu vendosën qese me bukë në automjetin e parkuar të policisë së Kosovës. 

“Ky është një veprim politik, për të tërhequr vëmendjen se qytetarët s’mund t’i përballojnë këto gjëra në periudhën e ardhshme”, ka thënë Arsenijeviq. 

Foto: Kossev