Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë për gjetjen e një vajzë nga Lipjani e cila është raportuar e zhdukur më 20 nëntor të vitit të kaluar.
Sipas Policisë e zhdukura është Arianita Gajtani e lindur në vitin 1999.
“Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si: intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit, kontrollimi i hyrje - daljeve, në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura), analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin etj”, thuhet në kërkesë.
Policia ka njoftuar se veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, por se pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit të shtetit, kërkojnë edhe kontributin qytetar për gjetjen e saj.
Policia ka lutur të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato policisë përmes numrit 192.