Të dyshuarit për vrasjen e së dielës në Prishtinë i është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë, ka njoftuar Policia e Kosovës të hënën, derisa trupi i viktimës që u ther për vdekje me thikë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Policia bëri të ditur në raportin 24-orësh se trajtim mjekësor ka pranuar edhe i dyshuari pasi kishte lëndime trupore. Vdekja e viktimës është konfirmuar në rrugën “Tirana”, ku edhe ka ndodhur therja.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, thuhet në njoftimin policor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të hënën se rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë” dhe si “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori. Brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Autoritetet rastin po e hetojnë si “vrasje e rëndë”.
LEXO EDHE: