Policia e Kosovës dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI) kanë zhvilluar kontrolle në Prishtinë dhe në Gjilan, për hetimin e rasteve “Rydox” dhe “BlackBD”, me ç'rast janë arrestuar tre persona.
Prokuroria Speciale njoftoi se në këtë aksion kanë bashkërenduar edhe autoritetet shqiptare (SPAK-u), ku është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova.
Të dyshuarit thuhet se kanë themeluar tregun kriminal online “Rydox”, treg i dedikuar për të ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime kundërligjore, përfshirë edhe të dhëna personale të shtetasve amerikanë. Tregu kriminal online thuhet se ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë serveri është sekuestruar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kriptovaluta, kompjuterë laptopë, shtëpiza kompjuteri, telefona mobilë dhe pajisje memorizuese.
Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria ka njoftuar se veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“I dyshuari në rastin ‘BlackDB’, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online ‘BlackDB’. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu ‘BlackDB’ i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti”, thuhet në komunikatë.
SHBA-ja kërkon ekstradimin e kosovarit të dyshuar për krime online
Zyra e Prokurorit në Qarkut të Mesëm të Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se po i ndjek procedurat e ekstradimit të Liridon Masuricës, 33-vjeçarit nga Kosova, që u arrestua në Gjilan nën dyshimin për organizim të tregut kriminal online “BlackDB”.
Më herët gjatë ditës Prokuroria Speciale njoftoi se Policia e Kosovës dhe Byroja Federale e Hetimeve në SHBA kryen kontrolle në Prishtinë dhe Gjilan për hetimin e rasteve “Rydox” dhe “BlackBD” me ç’rast u arrestuan tre persona.
E në një komunikatë të Prokurorit amerikan, Roger B. Handberg, pas njoftimit për arrestimin e Masuricës është bërë e ditur që “autoritetet amerikane po ndjekin procedurat e ekstradimit në SHBA, ndërmjet traktatit për ekstradim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”.
Masurica akuzohet për mashtrime me pajisje aksesi të rreth 15 pajisjeve. Nëse dënohet për të gjitha akuzat, ai përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
Sipas aktakuzës, Masurica ishte administrator i tregut kriminal në internet “BlackDB.cc”, e që funksionon nga viti 2018. Ky treg ka vënë në shitje jashtëligjshëm të dhëna të llogarive dhe serverëve të thyer, të dhëna të kredit-kartelave të personave në SHBA, përfshirë ata të Floridës.