Kronikë

Plagoset një zyrtar policor në një poligon qitjeje në Novobërdë

Policia

Foto ilustrim

Një zyrtar policor është plagosur mbrëmjen e së dielës në një poligon qitjeje në fshatin Pasjak të Novobërdës.

Policia e Kosovës ka njoftuar për KOHËN se zyrtari policor E.SH., 22-vjeçar, është plagosur nga një person i mitur që u tha se arma i kishte shkrepur aksidentalisht.

Zyrtari policor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim, derisa i mituri është arrestuar nga autoritetet policore dhe është intervistuar.

 “Ju njoftojmë se sot me datën 26.01.2025, rreth orës 19:12 në fshatin Pasjak - Novobërdë në poligonin e  gjuajtjes ‘Target’, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë me urgjencë njësitet relevante. Nga hetimet e para mësohet se është  plagosur  zyrtari policor E. Sh. (2003)  dhe i njëjti është transportuar për QKUK- Prishtinë. Dyshohet se deri te ky rast i rëndë të ketë ardhur kur një person që po ashtu ishte në poligonin e gjuajtjes bashkë me viktimën i shkrep arma aksidentalisht. I dyshimti i mitur është arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit dhe është intervistuar në bazë të procedurave ligjore”, ka njoftuar zëdhënësi policor për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Për rastin është arrestuar edhe një instruktor që punon në këtë poligon.

QKUK-ja ka thënë për KOHËN se gjendja e policit është stabile dhe i janë kryer ekzaminimet e nevojshme. Ai do t'i vazhdojë trajtimin e mëtejshëm.