Kronikë

Plagoset një police në Prishtinë, suspendohet një polic e IPK-ja nis hetimet

Shiriti i policisë

Foto-ilustrim

Një police është plagosur në stacionin policor Jugu në Prishtinë, pasi që dyshohet se aksidentalisht ka ndodhur një shkrepje e armës. 

Hetuesit e IPK-së thuhet se të premten në orët e mëngjesit janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e këtij stacioni. 

“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, thuhet se është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

“Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.