Kronikë

Pesë të plagosur në Pejë e Prizren, njëri nga ta në gjendje të rëndë

Policia

Foto ilustrim

Pesë persona kanë mbetur të plagosur në dy raste të ndara në qytetet e Prizrenit dhe Pejës. Në Prizren, përkatësisht në fshatin Gjonaj janë plagosur dy persona ndërkaq në qytetin e Pejës janë plagosur tre.

Zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren, Vesel Gashi, ka thënë se njëri është plagosur me armë zjarri e tjetri nga mjete të forta.  Rasti ka ndodhur në orën 19:40.

“Në këtë incident janë të plagosur dy persona, njëri me armë zjarri dhe tjetri me mjete të forta. Të njëjtit janë dërguar për trajtim shëndetësor për në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë e Kosovës dhe njësitet policore janë në kërkim të tyre. Lidhur me këtë të gjitha veprimet hetimore nga njësitë relevante të policisë janë në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq në Pejë, zëdhënësi i Policisë Fadil Gashi, ka thënë se të plagosurit fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim, e më pas njëri prej tyre është transportuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Sipas tij, organet e rendit janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rrethanat e rastit.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë më vonë ka konfirmuar se tre të plagosurit janë nisur për në QKUK, e njëri nga ta është në gjendje më të rëndë.