Kronikë

Pesë të arrestuar për keqpërdorim me subvencione në dy raste të ndara

arrestimi ne aksion

Foto ilustrim

Pesë persona janë arrestuar të enjten në dy raste të ndara që lidhen me krime ekonomike.

Në rastin e parë janë arrestuar të dyshuarit N.G., F.M. dhe I.K., pasi dyshohet se si zyrtarë të Federatës së Karatesë së Kosovës, kanë keqpërdorur mjete financiare nga Ministria e Kulturës.

Dyshohet se me veprime joligjore kanë shkaktuar dëme në vlerë prej 87.430 eurove.

Ndaj tyre është iniciuar rasti “mashtrim me subvencione”. E dyshuara F.M. dhe i dyshuari N.G., janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në rastin e dytë janë arrestuar A.M. dhe A.A., pasi dyshohen se në Komunën e Obiliqit kanë ndarë subvencion në vlerë prej 9.900 eurove për një klub basketbolli që nuk është aktiv.

E dyshuara A.A. thuhet se ishte monitoruese e implementimit të subvencioneve dhe ka përpiluar raport të rrejshëm.

Ata dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “konflikt interesi”.

A.M. është dërguar në mbajtje për 48 orë, e A.A. është liruar.