Kronikë

Pesë raste të dhunës në familje të shtunën në Kosovë

Arrestime, ilustrim

FOTO: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në tërë Kosovën.

Sipas njoftimit, rastet janë raportuar në Podujevë, Pejë dhe Rahovec.

Në Podujevë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në Pejë, policia ka arrestuar tre burra për dhunë psikike, sulm fizik dhe ofendim, në tri raste të ndryshme.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

“Viktima femër kosovare, ka raportuar se është ofenduar nga gjyshi i saj i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin për rastin tjetër në Pejë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti ka sulmuar fizikisht motrën e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia lidhur me rastin e tretë në qytetin e Pejës.

Ndërkaq, në Rahovec, një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. 

”Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Nuk raportohet për lëndime. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë të dielën.