Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shoqëruar në stacion policor disa persona të dyshuar për përfshirje në një përleshje gjatë të cilës është shkrepur edhe arma e zjarrit.
Sipas Policisë përleshja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Hilë Mosi” në Prishtinë, mes disa personave dhe dyshohet se është shkrepur arma.
Të lënduarit në këtë përleshje janë dërguar në QKMF për trajtim mjekësor.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin, lokalizimin si dhe kapjen e menjëhershme të disa personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë. Të lënduarit nga përleshja janë dërguar në QKMF, për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërkohë që është identifikuar edhe një veturë e dyshuar e njëjta është ndaluar dhe kontrolluar nga policia, me ç ‘rast policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë arma nga e cila është shkrepur. Aktualisht po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet nga Policia e Kosovës.