Një ndërtesë banimi në lagjen “Emshir” në Prishtinë është kapluar nga zjarri të enjten.
Disa persona po marrin trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore që janë shkaktuar nga tymi, njoftoi Policia e Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se është duke u bërë evakuimi i banorëve të ndërtesës. Ajo ka thënë se zjarrfikësit dhe ekipet policore po merren me rastin.
“Sot rreth orës 18:40, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Derisa po vazhdon evakuimi banorëve të ndërtesës, bazuar në të dhënat e deritanishme disa persona janë duke u trajtuar nga ekipet mjekësore, kryesisht probleme që janë shkaktuar nga tymi”, thuhet në njoftimin policor.
Zjarrfikësit i kanë nxjerr disa prej tyre banorëve nëpërmjet dritareve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjendja është nën kontroll dhe zjarri është shuar.
Ai ka thënë se ’ka pasur nevojë për evakuim të banorëve.
“Gjendja është nën kontroll, zjarri është sanuar. Ka pasur panik. Dy makina janë kall në pjesën e bodrumit, ajo ka shkaktuar tym të madh. Tymi ka mbërritur në disa ndërtesa. Kemi pasur thirrjen në 18:11, me ekipet e policisë e zjarrfikësve. S'ka asnjë viktimë. 8 persona janë në kontroll mjekësor si rezultat i thithjes së tymit, por pa problem për jetë”, ka deklaruar Rama.
Ai u shpreh se sipas zjarrfikësve, në bodrum ka qenë një veturë elektrike të cilës i është djegur bateria dhe ajo ka shkaktuar djegien e veturës tjetër.
VIDEO: Momenti kur zjarrfikësit shpëtojnë fëmijët e ngujuar në ndërtesën që e kaploi zjarri në “Emshir”