Kronikë

Për të tretën herë i ndahen 30 vjet burgim Gëzim Retkocerit për vrasjen e vitit 2009

Trupi gjykues ka shpallur fajtor Gëzim Retkocerin për vrasjen e Naim Hajrizit në vitin 2009.

Gëzim Retkoceri, për të tretën e herë është dënuar me 30 vjet burgim.

Retkoceri është në paraburgim për afër 14 vjet.

Është tensionuar situata në fund mes dy familjeve, pasi që i akuzuari ka thënë se është vendimi i padrejtë ndaj tij, ndërkaq familjarë të viktimës e kanë kundërshtuar duke i thënë se e ka mbytur një njeri.

Gëzim Retkoceri, i cili akuzohet për vrasjen e Naim Hajrizit, të ndodhur gjatë vitit 2009, në Lipjan, u dënua dy herë me nga 30 vjet burgim, por dënime që ishin prishur nga Gjykata e Apelit, e cila e kishte kthyer rastin në pikën zero. Për këtë rast në fillim ishin të akuzuar 4 persona, por ndër vite i akuzuar kishte mbetur vetëm Retkoceri, i cili për 14 vjet është duke u përballur me drejtësinë.

Retkoceri akuzohet se më datë 29 prill 2009, bashkë me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë goditur me mjete të forta në kokë Naim Hajrizi. Sipas aktakuzës, viktimës i ishin lidhur këmbë e duar dhe pasi ishte privuar nga jeta, trupi i ishte djegur.