Në aksione të ndryshme antidrogë, policia gjatë muajve gusht dhe shtator ka konfiskuar afro 26 kilogramë substanca narkotike, ndërsa ka shkatërruar edhe pesë plantacione të kultivimit të bimës së kanabisit. Drejtori i Njësitit Antidrogë në Polici thotë se substancat e konfiskuara patën për destinacion tregun e brendshëm. E në Qendrën për trajtimin e personave të varur nga drogat thanë se shtigjet e depërtimit të lëndëve që krijojnë varësi ndryshojnë, nisur nga Shqipëria e deri te vendet aziatike
13 kilogramë marihuanë, 12 kilogramë heroinë e mbi 700 gramë kokainë ka konfiskuar policia gjatë dy muajve të fundit, në aksione të ndryshme kundër trafikimit të substancave narkotike.
Kjo sasi e narkotikëve, sipas drejtorit të Njësitit Antidrogë të Policisë, Reshat Murseli, pati për destinim tregun e brendshëm.
Ai ka thënë se në Kosovë ka grupe kriminale që merren me trafikim të drogës, porse theksoi se ato nuk janë të sofistikuara.
“Megjithatë, edhe në Kosovë ka grupe kriminale që funksionojnë dhe kanë përfitime nga droga, kryesisht kur punojnë me sasi të mëdha, por nuk janë në nivelin si në vendet e tjera... Nuk mund të themi që janë aq të strukturuar deri në nivelin që ne nuk mund t’i luftojmë”, ka thënë Murseli.
Policia së fundi ka vepruar edhe në shkatërrimin e plantacioneve të kultivimit të kanabisit.
Po ashtu, së fundi është shkatërruar edhe një laborator i drogës në Prishtinë.
Murseli thotë se rastet më të shpeshta të mbjelljes dhe të kultivimit të bimës së kanabisit janë evidentuar në zonat në afërsi të brezit kufitar me Shqipërinë.
E për kultivimin e kanabisit nëpër laboratorë, ai thotë se pikë më problematike ka qenë veriu.
“Kryesisht nga viti 2021 kemi pasur disa raste ku kemi hasur në kultivim të kanabisit ‘indoor’ apo kultivim në hapësira të mbyllura, kryesisht i kemi quajtur plantacione ose laboratorë të kultivimit të kanabisit dhe aty grupet kriminale kanë arritur të kultivojnë kanabis në sasi më të mëdha dhe që kanë pasur synim edhe tregun e jashtëm”, ka thënë Murseli.
Muharrem Ademi, nga qendra “Labyrinth”, që merret me rehabilitimin e personave të varur nga droga, thotë se gjatë punës së bërë ndër vite është evidentuar që substancat narkotike kanë depërtuar në Kosovë kryesisht nga vendet fqinje, por edhe nga ato aziatike.
“Për shembull, kanabisi në Kosovë vjen prej Shqipërisë, sepse në Shqipëri prodhohet, ndërsa transportohet për Kosovë. Sa i përket kokainës, ajo vjen nga shtetet e Amerikës Latine, kryesisht në Spanjë, Belgjikë por kohëve të fundit ka pasur disa raste, për shembull para dy vjetësh, kur kanë filluar sasi të mëdha të vijnë edhe në Shqipëri, pastaj prej Shqipërisë transportohet në Kosovë. Ndërsa sa i përket heroinës, heroina prodhohet kryesisht në Afganistan dhe vjen prej rrugëve Siri, Turqi, Bullgari dhe më pas Kosovë. Këto janë rrugët e ardhjes së drogave në Kosovë”, ka deklaruar Ademi.
Në qendrën “Labyrinth” e në Polici konfirmuan se në Kosovë qarkullojnë edhe droga sintetike, si ekstazia, të cilat arrijnë nga Holanda edhe nëpërmjet postës.
Gjatë gushtit e shtatorit, policia ka arrestuar 83 persona shkaku i posedimit të substancave narkotike.