Kronikë

Operacion policor në Gjakovë, arrestohet një person e kapen dy armë

Arrestim - Policia e Kosovës

Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë, me dyshimin se ka tentuar ta detyrojë viktimën të veprojë kundër pasurisë së tij. Ndaj tij është iniciuar vepra penale “detyrim”, pasi në njoftimin policor thuhet se ka kryer edhe veprime të bllokimit me forcë të biznesit apo pronës së viktimës.

Pos arrestimit, atij i janë sekuestruar dy armë dhe dëshmi të tjera, derisa operacioni i kryer është filmuar dhe publikuar nga Policia.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Me datë 16.09.2024 njësitë e lartcekura policore kanë zbatuar një urdhër-kontrolli në vendbanimin e një personi të dyshuar për veprën penale të detyrimit, me ç’rast gjatë zbatimit të këtij urdhër kontrolli janë sekuestruar 2 armë dhe dëshmi tjera të rëndësishme përmes të cilave provohet ekzistimi i dyshimit për kryerjen e veprës penale të detyrimit. Personi i dyshuar dyshohet se përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi ka tentuar që ta detyroj viktimën që të veproj kundër pasurisë së tij dhe përveç kësaj i njëjti po ashtu ka kryer veprime të bllokimit me forcë të biznesit dhe pronës së viktimës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.