Kronikë

Operacion i madh i SPAK-ut, lëshohen 43 urdhërarreste

Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur

Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur (RENEA)

Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ka zhvilluar operacion të madh të premten, duke lëshuar 43 urdhërarreste për persona që dyshohen të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale.

Operacioni i SPAK-ut u zhvillua në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër e Krujë.

Mes personave të kërkuar, urdhër-arreste janë lëshuar për një sërë emrash të botës së krimit në Shqipëri, raporton “Euronews”. Në mesin e tyre janë dy vëllezërit Bami, Valter dhe Durim, të cilët janë akuzuar shpesh si ideator, financues apo edhe pjesëmarrës në ngjarje të rënda kriminale në vend. Po ashtu kontrolle janë ushtruar edhe për dy vëllezërit Duka, Erlis dhe Leonard, të dyshuar si të përfshirë në biznesin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit, në vrasjen e policit Santiago Malko apo edhe në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Po ashtu SPAK-u ka kryer kontrolle edhe në zonën e Shijakut, në bazën e vëllezërve Astrit dhe Altin Avdylaj, edhe këta të dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, gjobëvënie, pengmarrje dhe vrasje.

Po ashtu, urdhërarrest është lëshuar edhe për Fatmir Hysenin, i njohur me nofkën “Doçja”, i cili më herët ka qenë i shpallur në kërkim për dy atentate, njëri ndaj ish-krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Santiago Malkos, ndërsa tjetri ndaj Inez Hajrrullës në Vlorë, besniku i të ekzekutuarit pak vite më parë, Edison Harizaj.

Po ashtu, urdhërarreste janë lëshuar edhe për Endrit Doklën dhe Plaurent Dervishaj, dy anëtarë të Bandës së Durrësit, që më pas u nda në fraksione dhe krijuan luftë të brendshme ndaj njëri-tjetrit.

Në Lezhë, janë ushtruar kontrolle për kapjen e personave të klanit Ndoka, ku mes tyre edhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Mes urdhërarresteve ka dhe emra të tjerë të botës së krimit, të cilët dyshohen të përfshirë në dosjen e hetuar nga SPAK-u.

SPAK-u e ka zhvilluar operacionin duke u mbështetur në të gjeturat nga aplikacioni “Sky ECC” dhe “Enchro Chat”.