(E përditësuar 08:50) - Policia e Shqipërisë ka konfirmuar arrestimin e reperit Noizy dhe DJ Crax (Bahtjar Bajraktari) të martën vonë në Shëngjin, të cilët po kërkohen nga autoritetet e Kosovës për rrahjen në një diskotekë në Pejë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dyshja janë arrestuar me qëllim të ekstradimit drejt Kosovës.
“Finalizohet operacioni policor i koduar "Fast". Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia "FAST Albania" në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri. Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor "Fast", kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit të mërkurën.
Të martën, Policia e Kosovës shpalli në kërkim edhe reperin tjetër nga Shqipëria, Stresi, që dyshohet se është i përfshirë në rrahjen e dy personave në një diskotekë në Pejë.
TCH: Arrestohet në Shëngjin reperi Noizy
Me kërkesë të Policisë së Kosovës është arrestuar të martën mbrëma në Shëngjin reperi shqiptar Noizy, raporton “Top Channel”.
Arrestimi i tij është bërë nga policia e Lezhës në Shëngjin teksa këngëtari i njohur ishte nisur për të performuar në një klub në qytetin bregdetar.
Burime nga policia bëjnë me dije se ka pasur kërkesë nga Kosova për arrestimin e tij. Noizy ishte shpallur të hënën në kërkim nga Policia e Kosovës për lëndim të rëndë trupore. Ai akuzohet për një arrahje në një klub nate në Pejë.
Noizy është arrestuar kur ka kaluar në një pikë kontrolli në zonën e Kunës dhe me pas është marrë nga operacionaila e Tiranës.