Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten është arrestuar një shtetas turk, i dyshuar për lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rreme, keqpërdorim të kartelave të bankës apo kreditit.
Ai është arrestuar lidhur me një rast që ka ndodhur më 20 shkurt të këtij viti, ku u patën arrestuar edhe tre shtetas të huaj të dyshuar për këtë vepër.
“Si rezultat i angazhimeve të njësive policore lidhur me rastin me datë 03.04.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Më 20 shkurt Policia pati njoftuar se janë arrestuar tre persona nën dyshimin se kanë keqpërdorur kartela bankare. Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike kishte kryer kontrolle në tri lokacione në Prishtinë.
Atëherë kishin njoftuar se dy prej të dyshuarve ishin shtetas turq e njëri shtetas i Maqedonisë së Veriut.