Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit G. G., i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 26 shkurt 2025 në rrugën “Isa Grezda” në Gjakovë, ku i pandehuri, në shtëpinë e tij, duke përdorur armë zjarri dhe thikë, ka kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, E. G., dhe të dëmtuarit I. H. Ai dyshohet se i ka mbajtur ata të izoluar për disa orë nën kërcënimin e armës.
Gjithashtu, i pandehuri i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes përmes goditjeve me thikë.
Policia ka sekuestruar armën dhe municionin e gjetur në pronësinë e tij, të cilat dyshohet se i mbante në mënyrë të paautorizuar.
Viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.