Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj F.I. që dyshohet se theri me thikë katër persona në Ferizaj të hënën.
F.I. ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin. Fillimisht policia kishte arrestuar një person tjetër për sulmin.
Dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare, ishin në mesin e të plagosurve.
I dyshuari ka qenë më parë i dënuar për vrasjen e një gruaje.
Dy nga të plagosurit, morën plagë më të rënda, në mesin e tyre vajza 10-vjeçare. Ajo u operua në QKUK po të hënën.
Të katër viktimat janë të komunitetit RAE. Prokuroria ka thënë se sulmuesi i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike.
“Ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri më datë 11 nëntor 2024, në rrugën “R.B.” në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar t`i privoj nga jeta fëmijët të moshës 10 vjeçare dhe 14 vjeçare pjesëtarë të komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuara kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat dërgohen në Qendrën Emergjente në Ferizaj, kurse e mitura 10-vjeçare transferohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa e mitura 14-vjeçare lirohet për në shtëpi”, u tha nga prokuroria.
Ai sulme kreu në tri rrugë të ndryshme.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën “E.T.” në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.Sh., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në një kafiteri, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, të cilit i shkaktoi lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj e pastaj në QKUK në Prishtinë, ku është duke u trajtuar. Ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën “H.S.” në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore lirohet për në shtëpi”, u tha nga prokuroria.