Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për ngacmim të të miturës në shkollë fillore

paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën prej 30 ditësh paraburgim të pandehurit D.Ll. nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur në një shkollë në këtë komunë.

Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D. LL., në Gjakovë, në shkollën fillore ‘M.K.’, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke e përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës se mitur, veprime këto të cilat të dëmtuarës së mitur i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues, degradues dhe poshtërues”.

Gjyqtari ka vendosur për këtë masë duke thënë se vepra penale është e rëndë dhe se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës nga i pandehuri apo edhe që ai të ikë apo ndikojë në prova.

Masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 26 prill. Palët kanë të drejtë ankese në Apel.