Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për “manipulim me prova” në rastin e vrasjes në “Aktash”

Aktash- Vrasja

Foto: Driton Paçarada

(E përditësar 14:20) - Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit V.B. për veprat penale “manipulim me prova” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

V.B. dyshohet se fshehu dy armë të cilat u përdorën në rastin e vrasjes në lagjen “Aktash” para një jave, ku mbeti i vdekur një person ndërsa pesë të tjerë u plagosën. Gjykata pretendon se përmes kamerave të lokalit ka arritur të zbulojë se V.B. ka fshehur armët që u përdorën në përplasjen mes Sekiraqëve dhe Capajve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.09.2024 në Prishtinë, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri V.B merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit S.S dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç ‘rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë, e më këto veprime i pandehuri V.B në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova, po ashtu me të njëjtën datë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, “ekziston rreziku i ikjes së tij, mund të shmanget nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe i mund të kryejë vepër penale tjetër penale”.


Arrestohet një i dyshuar për manipulim me prova lidhur me vrasjen në “Aktash”

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për manipulim me prova lidhur me vrasjen që ndodhi më 1 shtator në “Aktash” në Prishtinë. 

“Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë 01.09.2024, 22:04. Lidhur me rastin e lartcekur të datës së lartcekur, me datën 11.09.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se ka kryer veprën penale manipulim me prova”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. 

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari thuhet se është dërguar në mbajtje.

Për vrasjen në “Aktash” Gjykata Themelore në Prishtinë të martën e javës së kaluar u ka caktuar një muaj paraburgim pesë të dyshuarve të arrestuar. Të pestit kanë qenë të plagosu si pasojë e të shtënave me armë natën kur ka ndodhur vrasja. 

Në kërkesë të Prokurorisë për paraburgim, të cilën e ka publikuar “Betimi për drejtësi”, thuhej se të dyshuarit Korab Gashi dhe vëllai i tij, tashmë i ndjerë, Premtim Gashi, futen në një kafiteri, e me armë të gjata gjuajnë në drejtim të të pandehurve Salih Sekiraqa, Faton Abazi dhe një personi të mitur.

Pasi dy vëllezërit Gashi nisin të dalin nga lokali, në shkresën e Prokurorisë thuhej se Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi me qëllim të vrasjes shtien me armë zjarri, ku edhe vritet Premtim Gashi.